Donald Trump ka deklaruar se administrata amerikane është duke u përgatitur për të publikuar dokumente të klasifikuara që lidhen me objektet fluturuese të paidentifikuara, të njohura si UFO.
Në një prononcim për mediat, ai u shpreh se këto dosje përmbajnë informacione që, sipas tij, “nuk do t’i besonit se janë të vërteta”. Trump theksoi se synimi është që të bëhet publike sa më shumë informacion në një të ardhme të afërt, në përgjigje të kërkesave të vazhdueshme për transparencë.
“Do të publikojmë gjithçka që mundemi. Kam folur me pilotë dhe persona shumë seriozë që kanë parë gjëra të pazakonta,” u shpreh ai, duke shtuar se materialet pritet të jenë “shumë interesante” për publikun.
Më herët, në shkurt, ai i kishte ngarkuar Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, detyrën për të nisur procesin e identifikimit dhe deklasifikimit të këtyre dokumenteve.
Ky zhvillim vjen pas presionit të vazhdueshëm nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara dhe opinioni publik, të cilët kanë kërkuar më shumë informacion mbi fenomenet e paidentifikuara ajrore që janë raportuar ndër vite, sidomos nga pilotë ushtarakë amerikanë.
Publikimi i mundshëm i këtyre dosjeve pritet të ndezë interes të madh global dhe të hapë diskutime të reja mbi natyrën e këtyre fenomeneve misterioze.
