Një nga personat e shpallur në kërkim për atentatin ku mbetën të vrarë Gentjana dhe Kreshnik Mujeci në Lezhë, Besnik Kolndreu, ka reaguar publikisht duke mohuar përfshirjen në ngjarje dhe duke paralajmëruar vetëdorëzim.
Në një deklaratë për një studio televizive, ai u shpreh se aktualisht ndodhet në Mali i Zi dhe është në pritje të një konfirmimi nga avokati i tij për t’u kthyer në Shqipëri dhe për t’u paraqitur para autoriteteve.
“Do të vij vetë në këmbë, gjallë a vdekur, për të sqaruar gjithçka dhe për të pastruar emrin tim. Nuk jam kriminel dhe askush të mos thotë që më kapën këtu apo atje”, deklaroi ai.
Kolndreu theksoi gjithashtu se nuk ka pasur kontakte me personat e tjerë të shpallur në kërkim, duke pretenduar se nuk i njeh ose nuk i ka takuar prej kohësh. Ai sfidoi publikisht çdo pretendim për lidhje me ta, duke kërkuar verifikimin e komunikimeve telefonike apo në rrjetet sociale.
“Le të dalë një person i vetëm që të thotë se më ka parë me ta apo kam pasur komunikim. Unë kam jetuar në emigrim dhe nuk kam lidhje me këtë ngjarje”, u shpreh ai.
Në fund të deklaratës, Kolndreu theksoi se zbardhja e ngjarjes i takon institucioneve të drejtësisë, duke shtuar se ai është i gatshëm të përballet me hetimin për të provuar pafajësinë e tij.
Ngjarja në Lezhë, ku humbën jetën dy persona, vijon të jetë në hetim nga autoritetet, ndërsa disa persona janë shpallur në kërkim si të dyshuar për përfshirje në atentat.
