Saimir Korreshi denoncon gjendjen alarmante të shkollës në Mizë: Godina e amortizuar dhe e grabitur, fëmijët detyrohen të udhëtojnë kilometra

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka denoncuar gjendjen e rëndë të shkollës në fshatin Mizë, duke publikuar pamje që tregojnë një godinë të degraduar dhe jashtë funksionit.

Sipas tij, problemi është i hershëm dhe pavarësisht protestave të vazhdueshme nga banorët dhe nxënësit ndër vite, situata nuk ka ndryshuar. Korreshi thekson se shkolla është lënë në harresë totale, ndërsa ambientet e saj janë dëmtuar deri në detaje.

“Rikthehemi pas një viti dhe gjendja është edhe më e rëndë. Shkolla është shkatërruar, madje janë vjedhur edhe elementë bazë si kasat e dyerve. Nuk ka as ruajtje minimale të godinës,” shprehet ai.

Për shkak të kësaj situate, fëmijët e fshatit Mizë janë të detyruar të ndjekin mësimin në zonat përreth, konkretisht në Kryekuq dhe Divjakë, duke udhëtuar çdo ditë disa kilometra.

Kjo, sipas deputetit, jo vetëm rrit kostot për familjet, por gjithashtu u merr kohë dhe vështirëson ndjekjen e rregullt të procesit mësimor nga nxënësit.

Korreshi e cilëson situatën si shembull të dështimit të investimeve në arsim, duke theksuar se, sipas tij, shkolla figuron funksionale vetëm në dokumente, ndërsa në realitet është e braktisur dhe e pashfrytëzueshme.

Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksionin e shkollës, duke theksuar se me investime minimale ajo mund të rikthehet në funksion dhe t’u shërbejë fëmijëve të komunitetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related