Drejtori i Policisë Skënder Hitaj në Korçë jep ultimatum strukturave: goditje kultivimit të drogës, grupeve kriminale dhe armëmbajtjes pa leje

Data

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, ka zhvilluar një takim pune në Korçë me drejtuesit vendorë të policisë, ku në fokus kanë qenë prioritetet e sigurisë dhe lufta ndaj kriminalitetit.

Takimi, që zgjati rreth një orë në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë, mblodhi shefat e komisariateve dhe drejtues të sektorëve kyç. Sipas burimeve, gjatë diskutimeve janë evidentuar problematikat kryesore dhe janë dhënë udhëzime konkrete për përmirësimin e punës në terren.

Në qendër të porosive të Hitajt ishte lufta kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Ai kërkoi angazhim maksimal nga strukturat për identifikimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të kanabisit, veçanërisht në këtë periudhë të ndjeshme të sezonit.

Një tjetër prioritet i theksuar ishte evidentimi dhe goditja e personave të përfshirë në grupe kriminale. Sipas drejtuesit të policisë, puna hetimore dhe informacioni policor duhet të forcohen për të parandaluar aktivitetet kriminale dhe për të rritur sigurinë në territor.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutua edhe problematika e armëmbajtjes pa leje. Hitaj kërkoi rritje të kontrolleve dhe reagim më të shpejtë nga efektivët, duke e konsideruar këtë fenomen si një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sigurinë publike.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kontrolleve në institucionet arsimore dhe në ambientet përreth tyre. Sipas porosive të dhëna, prania policore duhet të jetë më e dukshme për të parandaluar incidentet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për nxënësit dhe qytetarët.

Takimi në Korçë vjen në kuadër të një serie angazhimesh të drejtuesve të Policisë së Shtetit për të rritur performancën e strukturave vendore dhe për të forcuar luftën ndaj kriminalitetit në të gjithë vendin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related