EMRI/ Kanabis xhelatinë me vlerë 10 mijë euro i ardhur nga Kanadaja, arrestohet 23-vjeçari nga Dibra

Data

Një 23-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës pasi u kap në posedim të një sasie të konsiderueshme kanabisi në formë xhelatine, me vlerë rreth 10 mijë euro. I arrestuari është Domeniko Cibaku, banues në Dibër.

Sipas burimeve policore, i riu rezulton pa precedentë penalë, por i skeduar për përdorim të lëndëve narkotike. Droga dyshohet se kishte ardhur nga Kanadaja përmes shërbimit postar dhe ishte destinuar për t’u shpërndarë në zonën e “5 Majit”, kryesisht në lokalet e lagjes.

Gjatë hetimeve është zbuluar se 23-vjeçari ndihmohej edhe nga një person tjetër, i cili aktualisht është shpallur në kërkim nga policia.

Nga kontrolli fizik dhe ai në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 kilogram e 54 gramë lëndë narkotike kanabis në trajtë xhelatine.

Operacioni policor “Shape”

Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit policor të koduar “Shape”, i finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Narkotikëve. Kapja e të riut u bë në rrugën “5 Maji”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Policia bën me dije se vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndës narkotike.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related