Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë thirrje për masa konkrete nga autoritetet britanike pas sulmit me thikë ndaj dy personave hebrenj në Londër.
Në një reagim zyrtar, zyra e tij shprehu shqetësim për rritjen e incidenteve antisemitike në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se reagimet verbale nuk janë të mjaftueshme për të përballuar situatën. “Fjalët nuk mjaftojnë për t’u përballur me këtë fatkeqësi”, thuhet në deklaratë.
Benjamin Netanyahu kërkoi nga qeveria britanike që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të garantuar sigurinë e komunitetit hebre dhe për të vënë përpara drejtësisë autorët e akteve të dhunshme.
Ngjarja e fundit ndodhi në veri të Londrës, ku dy burra, të moshës 70 dhe 30 vjeç, u plagosën me thikë. Autoritetet britanike e kanë klasifikuar incidentin si akt terrorist, ndërsa të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Thirrja e Netanyahut vjen në një klimë shqetësimi në rritje për sigurinë e komuniteteve hebreje në Mbretëria e Bashkuar, ku raportimet për incidente antisemitike janë shtuar kohët e fundit.
Autoritetet britanike kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa çështja pritet të mbetet në fokus të debatit publik dhe politik në ditët në vijim.
