Në Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon sot seanca për dosjen “Partizani”, një nga çështjet më të rëndësishme që po hetohet nga SPAK.
Në këtë proces janë të pandehur Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, si dhe persona të tjerë të përfshirë në çështje.
Gjykata ka miratuar listën me 11 dëshmitarë të propozuar nga SPAK, ndërsa 8 prej tyre pritet të dëshmojnë gjatë seancës së sotme.
I pari që do të merret në pyetje është Taulant Balla, në cilësinë e kallëzuesit të çështjes. Pas tij, pritet të dëshmojnë edhe ish-drejtues të klubit sportiv “Partizani”, të cilët konsiderohen si figura kyçe për sqarimin e rrethanave të çështjes.
Ndërkohë, në seancën e mëparshme, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e mbrojtjes për të thirrur si dëshmitar edhe Edi Rama.
Sipas mbrojtjes, Rama pritet të dëshmojë në cilësinë e ish-kryebashkiakut të Tiranës, lidhur me vendimet për ndryshimin e destinacionit të truallit të ish-kompleksit “Partizani”, nga terren sportiv në zonë ndërtimi.
Procesi gjyqësor për këtë dosje vijon të jetë në fokus të lartë publik dhe politik, ndërsa dëshmitë e pritura konsiderohen vendimtare për ecurinë e mëtejshme të çështjes.
