Një baner i madh mbështetës për ish-krerët e UÇK është vendosur sot në Prishtinë, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe mediave.
Në baner shfaqen figurat e njohura politike dhe ushtarake, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët aktualisht ndodhen në proces gjyqësor në Hagë.
Mesazhi i vendosur mbi imazhet e tyre, “Bring them home” (“Sillini në shtëpi”), synon të shprehë solidaritet dhe mbështetje publike ndaj tyre, në një kohë kur procesi gjyqësor vijon në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ish-krerët e UÇK-së po përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar vazhdimisht. Procesi në Hagë ka tërhequr vëmendje të gjerë në Kosovë dhe më gjerë, duke nxitur reagime të ndryshme në opinionin publik.
Vendosja e këtij baneri shihet si pjesë e shprehjes së vazhdueshme të mbështetjes nga qytetarë dhe grupe të ndryshme në Kosovë, të cilët kërkojnë kthimin e tyre në vend dhe një proces që, sipas tyre, të jetë i drejtë dhe i paanshëm.
