IKMT ka nisur një aksion të gjerë në jug të vendit, duke ndërhyrë në Sarandë për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe lirimin e hapësirave publike.
Operacioni ka filluar në njësinë administrative të Ksamil, ku inspektorët, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe me mbështetjen e Policisë së Shtetit, po ndërhyjnë për shembjen e objekteve të ndërtuara pa leje.
Sipas autoriteteve, në total parashikohet prishja e rreth 10 objekteve të ndryshme, që përfshijnë struktura betoni të armuar, ndërtime metalike dhe objekte druri. Të gjitha këto ndërtime janë konstatuar në shkelje të legjislacionit dhe pa dokumentacionin e nevojshëm.
IKMT bën me dije se për çdo rast janë ndjekur procedurat ligjore përkatëse, duke përfshirë njoftimet paraprake dhe vendosjen e masave administrative për subjektet përkatëse, përpara ndërhyrjes në terren.
Aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, duke u shtrirë më tej në territorin e Sarandës, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar ndërtimet e paligjshme dhe për të garantuar respektimin e rregullave të zhvillimit urban në zonat turistike.
