Raporti i Banka Botërore: Ekonomia shqiptare drejt ngadalësimit nga lufta dhe çmimet e lartaRaporti i Banka Botërore: Ekonomia shqiptare drejt ngadalësimit nga lufta dhe çmimet e larta

Data

Ekonomia shqiptare pritet të përballet me një ngadalësim në vitet e ardhshme, e ndikuar nga zhvillimet globale dhe rritja e çmimeve, paralajmëron raporti më i fundit i Banka Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Sipas raportit, rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë viteve 2022–2025 është mbështetur kryesisht nga turizmi dhe lidhjet më të forta tregtare me Bashkimin Europian, duke arritur rreth 4.2%. Megjithatë, kjo varësi nga turizmi konsiderohet një pikë e dobët, pasi e ekspozon ekonominë ndaj goditjeve të jashtme dhe thekson nevojën për diversifikim.

Banka Botërore nënvizon se ekonomia shqiptare përballet ende me kufizime strukturore, përfshirë produktivitetin e ulët, bazën e ngushtë të eksporteve dhe një mjedis biznesi të ndikuar nga informaliteti dhe barrierat rregullatore. Gjithashtu, migrimi, plakja e popullsisë dhe mungesa e aftësive të përshtatshme po kufizojnë kapitalin njerëzor.

Parashikimet tregojnë se në vitin 2026, rritja ekonomike do të ngadalësohet, ndërsa ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rritja e çmimeve të energjisë pritet të ushtrojnë presion mbi ekonominë vendase. Inflacioni dhe kostot më të larta do të dobësojnë fuqinë blerëse të familjeve, edhe pse rritja e pagave dhe punësimit mund të japin një mbështetje të përkohshme për konsumin.

Raporti thekson se rritja e pagave mund të tejkalojë produktivitetin, duke nxitur presione inflacioniste, ndërsa ndërprerjet në tregtinë globale dhe çmimet e larta të energjisë do të reflektohen edhe në Shqipëri.

Nga ana fiskale, deficiti pritet të rritet në 1.8% të PBB-së në vitin 2026, për shkak të rritjes së shpenzimeve për paga, pensione dhe investime, ndërsa në vitet pasuese parashikohet një ulje graduale falë rritjes ekonomike dhe përmirësimit të të ardhurave.

Megjithatë, raporti parashikon edhe disa zhvillime pozitive. Rritja e punësimit dhe pagave mund të ndihmojë në uljen e varfërisë në rreth 19.4% deri në vitin 2028, ndërsa integrimi më i thellë me Bashkimin Europian dhe zbatimi i reformave mund të nxisin investimet dhe produktivitetin.

Në përfundim, Banka Botërore paralajmëron se Shqipëria duhet të përshpejtojë reformat dhe të diversifikojë ekonominë për të përballuar më mirë goditjet e jashtme dhe për të siguruar një rritje të qëndrueshme në të ardhmen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related