Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria duhet të përshtatet me realitetin e ri global, duke theksuar se vendi është “shumë i vogël për të vendosur fatin e botës”, por duhet të sigurojë një mbrojtje dinjitoze si pjesë e aleancës euro-atlantike.
Deklaratat u bënë gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me partnerë italianë për ndërtimin e anijeve ushtarake në zonën e Pashalimani, një nga bazat më të rëndësishme detare të vendit.
Rama u shpreh se, në një kohë kur tensionet globale mbeten të larta, shpresa është që konfliktet të marrin fund, por ndërkohë Shqipëria duhet të investojë në sigurinë e saj. “Jemi shumë të vegjël për të ndikuar në lojën e shahut gjeopolitik, por duhet të jemi të përgatitur”, tha ai.
Marrëveshja e firmosur me kompaninë italiane Leonardo parashikon përforcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, si në det ashtu edhe në tokë, përmes sistemeve moderne, përfshirë edhe mbrojtjen kundërraketore.
Sipas kreut të qeverisë, projekti nuk kufizohet vetëm në furnizimin e Forcave të Armatosura, por synon të krijojë edhe një bazë prodhimi në Shqipëri për anije ushtarake, të cilat në të ardhmen mund të eksportohen edhe për vendet aleate.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, do të ndërtohen fillimisht dy anije për flotën shqiptare, duke e çuar numrin total të mjeteve detare në shtatë. Ky numër, sipas Ramës, përputhet me rolin dhe përgjegjësitë e Shqipërisë në kuadër të NATO në rajonin e Mesdheut.
Kryeministri theksoi gjithashtu se ky bashkëpunim hap rrugë për zhvillime të reja ekonomike dhe teknologjike, duke përfshirë inovacionin në industrinë e mbrojtjes dhe krijimin e një sektori të ri prodhues në vend.
Në përfundim, Rama e cilësoi projektin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë kombëtare dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë euro-atlantike, pavarësisht madhësisë së saj të vogël në skenën globale.
