Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se opozita ka përgatitur paketën e parë të nismave ligjore që synojnë përmbushjen e disa prej kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian në procesin e integrimit të Shqipërisë.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi bëri të ditur se nisma e parë parashikon shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, të cilin ai e konsideroi simbol të favorizimeve, mungesës së konkurrencës dhe cenimit të interesit publik.
Sipas tij, Partia Demokratike ka kërkuar prej vitesh heqjen e këtij ligji, duke argumentuar se është përdorur për të krijuar favore për një grup të kufizuar përfituesish dhe për të shtrembëruar konkurrencën e ndershme në ekonomi.
“Ligji për investimet strategjike është kthyer në simbol të modelit ekonomik të Edi Ramës, një model i bazuar te favorizimi, korrupsioni dhe përdorimi i pushtetit në funksion të interesave private”, u shpreh Bardhi.
Ai theksoi se kërkesa për shfuqizimin e këtij ligji tashmë është bërë edhe pjesë e kërkesave të qytetarëve që po protestojnë në vend.
Kreu i grupit parlamentar demokrat njoftoi gjithashtu se opozita do të kërkojë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, të ashtuquajturës “Paketa e Maleve”, si dhe ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Sipas Bardhit, këto iniciativa synojnë mbrojtjen e interesit publik, të drejtës së pronës, zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore të vendit.
Në fund të deklaratës së tij, ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të mos pengojë mbështetjen e këtyre nismave në Kuvend dhe shtoi se dokumenti i vetëm që opozita nuk mund ta depozitojë vetë është dorëheqja e kreut të qeverisë.
“Ky është një rast që Edi Rama të bëjë një hap përpara dhe të gjejë guximin të firmosë kërkesën e vetme që ne nuk mund ta depozitojmë në Parlament: dorëheqjen e tij”, deklaroi Bardhi.
