Lëvizja Shqipëria Bëhet ka njoftuar se do t’i drejtohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të nisur procedurat për një referendum kombëtar, që synon shfuqizimin e dy ligjeve të rëndësishme: atij për investimet strategjike dhe të ashtuquajturës “paketa e maleve”.
Sipas njoftimit zyrtar, kërkesa për marrjen e formularit tip do të dorëzohet më 29 prill, në orën 10:30, duke hapur rrugën për mbledhjen e 50,000 firmave të nevojshme për inicimin e referendumit.
Nisma synon shfuqizimin e Ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” dhe Ligjit nr. 20/2025 “Për paketën e maleve”, të cilat, sipas kësaj lëvizjeje, kërkojnë rivlerësim përmes votës së qytetarëve.
Pas depozitimit të kërkesës, kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, pritet të dalë në një deklaratë për mediat, ku do të japë më shumë detaje mbi arsyet dhe hapat e mëtejshëm të kësaj nisme.
Nëse procedura vijon sipas ligjit dhe arrihet numri i kërkuar i firmave, çështja mund t’i nënshtrohet votimit popullor, duke hapur një debat të gjerë publik mbi këto ligje dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe mjedisor të vendit.
