Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar me tone të forta ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, pas kritikave që ky i fundit bëri për qasjen amerikane ndaj Iranit.
Në një postim në rrjetin social X, Trump kundërshtoi deklaratat e Merz, duke e akuzuar se nuk ka kuptim të qartë mbi çështjen e armëve bërthamore. Sipas tij, një Iran i pajisur me armë bërthamore do të përbënte një kërcënim global.
“Ai nuk e di për çfarë po flet! Nëse Irani do të kishte një armë bërthamore, e gjithë bota do të mbahej peng,” shkroi Trump, duke shtuar se veprimet e tij ndaj Iranit janë ato që duhej të ishin ndërmarrë më herët nga liderët e tjerë botërorë.
Më tej, ai e lidhi këtë debat edhe me situatën e brendshme në Gjermani, duke deklaruar se problemet ekonomike dhe politike të vendit nuk janë rastësi.
Përplasja mes dy liderëve vjen në një moment tensionesh të larta ndërkombëtare lidhur me Iranin dhe programin e tij bërthamor, duke reflektuar ndarje të thella në qasjen e vendeve perëndimore ndaj kësaj çështjeje.
