Seanca gjyqësore për dosjen e njohur si Plumbi i Artë ka vijuar këtë të martë në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku një nga të pandehurit ka bërë deklarata të forta.
Xhuljano Hoxha, i dënuar më herët me burgim të përjetshëm, ka dëshmuar para gjykatës se Erion Alibej i ka thënë se ka paguar 3 milionë euro për të përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Sipas Hoxhës, në deklarimet e Alibejt dhe në provat e paraqitura nga SPAK nuk ka asnjë fakt që e lidh atë me vrasjen e Bujar Çelës. Ai shtoi gjithashtu se Alibej kishte shprehur shqetësim për mundësinë e publikimit të komunikimeve në platformën SKY.
Në dëshminë e tij, Hoxha pretendoi se Alibej ka dhënë urdhra për akte të tjera kriminale, përfshirë edhe tentativa për vrasje, ndërsa vetë pranoi përfshirjen në djegien e automjeteve të një personi tjetër, për të cilat tha se ka dëshmuar më herët.
Gjatë të njëjtës seancë janë marrë në pyetje edhe të pandehur të tjerë. Gentian Sharra mohoi akuzat për vjedhje me dhunë, duke deklaruar se është biznesmen dhe i rregullt me detyrimet tatimore, ndërsa Albert Pashaj përballet me akuza për vrasje të mbetur në tentativë.
Procesi gjyqësor vijon dhe pritet që në seancat e ardhshme të dalin detaje të tjera lidhur me këtë dosje të rëndësishme kriminale.
