Ish-deputetja Monika Kryemadhi ka reaguar pas seancës gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke dhënë detaje mbi kushtet në sallën e gjyqit dhe marrëdhënien e saj aktuale me të.
E ftuar në një emision televiziv, Kryemadhi deklaroi se nuk ka komunikim me Metën jashtë procesit gjyqësor, duke theksuar se kontaktet mes tyre janë të kufizuara vetëm në çështjet ligjore.
“Nuk flas me zotin Meta. Kam zero komunikim. Flas vetëm në proces gjyqësor për mbrojtjen time,” u shpreh ajo.
Ajo u ndal edhe tek kushtet në sallë, duke theksuar se Meta ishte vendosur pas një strukture xhami, e cila sipas saj e bënte të pamundur komunikimin normal.
“E mbajtën brenda xhamit, rreth 10 cm. Nuk krijohej hapësirë për komunikim, nuk dëgjohej,” tha Kryemadhi.
Sipas saj, kjo situatë vështirëson jo vetëm komunikimin mes palëve, por edhe bashkëpunimin me avokatët, veçanërisht në çështje komplekse si dosja CEZ-DIA.
Kryemadhi hodhi poshtë gjithashtu akuzat ndaj saj, duke i cilësuar si “absurde”, dhe theksoi se një pjesë e pretendimeve lidhen me çështje personale që sipas saj nuk përbëjnë vepër penale.
Procesi gjyqësor ndaj Metës dhe të tjerëve vijon të shoqërohet me debate mbi transparencën dhe kushtet e zhvillimit të seancave.
