Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar për mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Ilir Meta, duke kritikuar vendosjen e tij në kafazin e qelqtë në sallën e gjyqit.
Në një postim në rrjetet sociale, Dervishi bën një krahasim simbolik me Gjyqi i Nurembergut, duke theksuar se edhe në atë proces historik, ku u gjykuan krerët e nazizmit pas Luftës së Dytë Botërore, të pandehurit nuk u vendosën në kafaz.
Sipas tij, megjithëse ata ishin nën masa të rrepta sigurie, u ruajt një standard që synonte të garantonte perceptimin e drejtësisë dhe jo të hakmarrjes.
“Drejtësia duhet të duket drejtësi, jo hakmarrje e dirigjuar,” thekson ai.
Dervishi e cilëson përdorimin e kafazit si një formë “akuariumi juridik”, ku i pandehuri ekspozohet si rrezik potencial dhe jo si subjekt me të drejta të plota.
Ai sjell në vëmendje edhe praktikat ndërkombëtare, duke përmendur se në shumë vende, përfshirë SHBA-në dhe shtetet skandinave, të pandehurit qëndrojnë pranë avokatëve pa barriera fizike, ndërsa kufizime të tilla lejohen vetëm në raste të jashtëzakonshme.
Reagimi i gazetarit vjen në një moment kur mënyra e zhvillimit të gjyqit ndaj Metës ka ndezur debat të gjerë publik dhe politik mbi standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave të të pandehurve.
