Situata në Ngushtica e Hormuzit po përkeqësohet ndjeshëm, teksa rreth 20 mijë marinarë në qindra anije kanë mbetur të bllokuar për shkak të tensioneve të vazhdueshme në rajon.
Ky kalim strategjik, përmes të cilit zakonisht transportohet rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë, po funksionon me kapacitet të reduktuar. Të dhënat detare tregojnë se trafiku ka rënë ndjeshëm, nga rreth 130 anije në ditë para konfliktit, në vetëm rreth 80 gjatë javës së fundit.
Kriza është thelluar pas sulmeve të përsëritura ndaj anijeve në zonë. Sipas raportimeve ndërkombëtare, të paktën 10 marinarë kanë humbur jetën që nga nisja e përplasjes, ndërsa shumë incidente të tjera, përfshirë kapjen e anijeve, kanë rritur pasigurinë.
Edhe pse është përmendur një armëpushim i zgjatur, tensionet mbeten të larta dhe lëvizja detare vijon të jetë e kufizuar. Si pasojë, shumë marinarë kanë mbetur për javë të tëra në det, pa mundësi për t’u kthyer në portet e tyre.
Një prej tyre shprehet se punonjësit e detit shpesh janë më të prekurit nga konfliktet gjeopolitike, pasi mbeten të izoluar në zona rreziku, pa pasur ndikim mbi zhvillimet që i prekin drejtpërdrejt.
