Biznesmeni Lirim Fejzollari ka dëshmuar në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të gjyqit për dosjen “Buka”, ku i pandehur është ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Gjatë dëshmisë, Fejzollari deklaroi se procesi i privatizimit të shoqërisë “Buka sh.a.” është kryer sipas procedurave ligjore. Ai sqaroi se ka qenë aksioner edhe më herët dhe se ka blerë aksione nga individë dhe kompani të ndryshme, duke arritur deri në 40% të pjesës private.
Në lidhje me Ahmetajn, ai theksoi se e njeh si figurë publike dhe se është takuar me të në mënyrë zyrtare gjatë viteve 2018–2019, kur ky i fundit mbante postin e ministrit. Sipas tij, takimet lidhen me problematika të industrisë, konkretisht me çështjen e pullave fiskale.
Fejzollari u pyet edhe për komunikime me mesazhe telefonike me Ahmetajn, përfshirë një SMS ku ish-ministri i kërkonte ta telefononte. Ai shpjegoi se këto komunikime lidhen me diskutimet për çështjet fiskale dhe jo me privatizimin e “Buka sh.a.”.
Gjatë dëshmisë, biznesmeni përmendi edhe kontakte me familje që kishin pretendime për pronësinë, duke theksuar se u kishte sugjeruar t’i drejtoheshin institucioneve dhe gjykatave për zgjidhjen e çështjeve.
Procesi gjyqësor për dosjen “Buka” vijon në GJKKO, ndërsa dëshmitë dhe provat po shqyrtohen për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të të pandehurve.
