Një operacion i policisë kundër organizimit të paligjshëm të basteve sportive ka çuar në arrestimin e dy personave dhe shpalljen në kërkim të një tjetri në zona të ndryshme të Tiranës.
Sipas njoftimit zyrtar, në zonën e Astirit është arrestuar një 51-vjeçar, ndërsa në kërkim është shpallur pronari i lokalit ku dyshohet se zhvilloheshin aktivitetet e paligjshme të basteve.
Ndërkohë, në zonën e Kombinatit, konkretisht në rrugën “Sabaudin Gabrani”, është vënë në pranga një 44-vjeçar, ndërsa pronari i lokalit është proceduar penalisht.
Po në të njëjtën zonë, në një ambient tjetër, janë vënë nën hetim edhe dy persona të tjerë, përkatësisht një 56-vjeçar (pronari i lokalit) dhe një 58-vjeçar, të dyshuar për përfshirje në organizimin e lojërave të fatit.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar disa telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për aktivitetin e paligjshëm, ndërsa materialet procedurale janë referuar në prokurori për veprime të mëtejshme.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë, me qëllim goditjen e rasteve të tjera të organizimit të basteve dhe lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme.
