Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shfaqur për herë të parë në publik pas më shumë se një viti nga arrestimi i tij, duke reaguar pas shtyrjes së seancës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.
Në një deklaratë në rrjetet sociale, Meta kritikoi ashpër mënyrën se si po zhvillohet procesi ndaj tij, duke e cilësuar drejtësinë si të kontrolluar dhe të motivuar politikisht. Ai u ndal veçanërisht te refuzimi për transmetimin live të seancave, duke theksuar se në të kaluarën gjyqet për funksionarë publikë kanë qenë të hapura për publikun.
Meta deklaroi se standardet aktuale të gjykimit nuk respektojnë, sipas tij, as Kushtetutën dhe as normat evropiane për të drejtat e njeriut, ndërsa akuzoi prokurorët për zvarritje të qëllimshme të procesit.
Në reagimin e tij, ai përdori tone të forta politike, duke u shprehur krenar për qëndrimet e tij dhe duke i lidhur akuzat ndaj tij me, sipas tij, “patriotizmin” që ka mbrojtur gjatë karrierës politike.
“Jam krenar për patriotizmin tim dhe kjo më bën të pamposhtur përballë atyre që i shërbejnë interesave të tjera”, u shpreh Meta.
Procesi gjyqësor ndaj tij vijon në Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa autoritetet e drejtësisë nuk kanë komentuar publikisht deklaratat e fundit të ish-presidentit.
