Janë publikuar fotot e dy prej autorëve të dyshuar për vrasjen e çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci në Balldren të Lezhës. Bëhet fjalë për Florin Mhillaj dhe Renato Mhillaj, ndërsa në kërkim është shpallur edhe Adriano Mhillaj.
Sipas burimeve hetimore, tre të dyshuarit janë identifikuar si autorë të atentatit, i cili dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton se e gjithë ngjarja ka ndodhur në një kohë shumë të shkurtër, pak më shumë se një minutë. Autorët, të cilët nuk mbanin maska, kanë vepruar me gjakftohtësi dhe me një plan të mirëorganizuar, duke mos lënë hapësirë reagimi për viktimat.
Pas krimit, ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, ndërsa forcat e policisë vijojnë operacionin për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të krimit.
