Thellohet hetimi për AKSHI-n/ Prokurori Bledar Maksuti merr nën hetim Daniel Shima për grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion

Data

Hetimet për skandalin e dyshuar në Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit po thellohen, ndërsa prokurori Bledar Maksuti ka marrë zyrtarisht nën hetim ish-nëndrejtorin Daniel Shima.

Sipas dokumenteve hetimore, Shima dyshohet për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal, si dhe për një sërë veprash penale që lidhen me abuzime në tendera publikë, korrupsion pasiv dhe përfitime të paligjshme gjatë kohës që ka ushtruar funksione drejtuese në AKSHI.

Prokuroria e Posaçme pretendon se ai ka bashkëpunuar me ish-drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe persona të tjerë për manipulimin e procedurave tenderuese dhe përfitimin e fondeve publike në mënyrë të paligjshme.

Në aktet hetimore përmendet edhe një shumë prej rreth 200 mijë eurosh, që dyshohet se është përfituar në mënyrë korruptive dhe ka kaluar përmes Shimës drejt Karçanajt. Po ashtu, flitet për mënyra të fshehjes së këtyre të ardhurave, përfshirë transaksione të dyshimta pasurish dhe përdorimin e personave të tretë.

Një element tjetër i dosjes lidhet me projekte publike, ku sipas dëshmive, para hapjes së procedurave tenderuese, është përcaktuar fituesi i tyre. Konkretisht, për një projekt teknologjik në shkolla, pretendohet se është orientuar paraprakisht kompania që do të fitonte, duke cenuar konkurrencën e lirë.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim përfundimtar mbi përgjegjësitë penale të personave të përfshirë. Si në çdo rast, personat nën hetim konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related