Janë zbardhur emrat e tre personave të dyshuar për vrasjen e Kreshnik dhe Gentiana Mujeci në Balldren, një atentat që tronditi opinionin publik.
Sipas informacioneve, në kërkim janë shpallur Adriano Mhillaj (22 vjeç), Florin Mhillaj (36 vjeç) dhe Renato Mhillaj (23 vjeç). Ata dyshohet se janë autorët e sulmit me armë zjarri që i mori jetën çiftit, prindër të katër fëmijëve.
Nga hetimet paraprake, pista kryesore mbetet ajo e hakmarrjes. Burime bëjnë me dije se të dyshuarit kanë lidhje familjare me një viktimë të një ngjarjeje të mëparshme, për të cilën Kreshnik Mujeci ishte arrestuar në vitin 2017, por më pas ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata për mungesë provash.
Dyshohet se atentati mund të lidhet me atë konflikt të vjetër, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar mbi motivet.
Policia e Lezhës ka vijuar kontrollet për kapjen e autorëve, por deri tani ata mbeten në arrati. Hetimet janë në zhvillim dhe pritet që në vijim të dalin detaje të tjera mbi këtë ngjarje të rëndë kriminale.
