Partia Demokratike ka ngritur shqetësime për funksionimin e portalit qeveritar e-Albania, duke deklaruar se problemet teknike po pengojnë qytetarët të përfitojnë nga programet e strehimit social.
Në një reagim për mediat, zëdhënësja për antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, u shpreh se ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka hapur aplikimet për kredi të buta, sistemi online nuk është funksional, duke e bërë të pamundur aplikimin për shumë qytetarë.
Sipas saj, aplikimet për këtë program janë të hapura nga 20 prilli deri më 19 maj 2026 dhe duhet të kryhen vetëm përmes platformës digjitale. Megjithatë, probleme në komunikimin me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe ndërprerjet e sistemit kanë krijuar, sipas opozitës, një situatë bllokimi.
PD pretendon se këto probleme kanë sjellë pasoja konkrete, si pamundësia për të kryer aplikime, vonesa në regjistrime dhe humbje të të drejtave të qytetarëve. Po ashtu, theksohet se ndërprerjet e shërbimit krijojnë kosto dhe pasiguri për përdoruesit që varen nga këto sisteme për procedura ligjore dhe sociale.
Në deklaratë ngrihen edhe shqetësime për menaxhimin e fondeve publike, duke pretenduar se janë shpenzuar miliona euro për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e sistemeve digjitale, ndërkohë që sipas opozitës ato nuk funksionojnë siç duhet.
Partia Demokratike kërkon rikthimin e menjëhershëm të funksionimit të plotë të sistemit, garantimin e aksesit për qytetarët dhe transparencë mbi përdorimin e fondeve publike.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me këto pretendime.
