Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje disa fëmijë që shfaqen në kamerat e sigurisë në momentet e para të shpërthimit të zjarrit në një pallat pranë QSUT.
Sipas burimeve, të miturit janë pyetur në prani të prindërve dhe psikologëve, ndërsa kanë deklaruar se veprimet e tyre kanë qenë të paqëllimshme. Ata kanë shpjeguar se mbeturinat që morën flakë ndodheshin pranë një karroce dhe nuk e kishin menduar se mund të shkaktonin një rrezik të tillë.
Çfarë tregojnë kamerat
Nga verifikimi i pamjeve filmike rezulton se fëmijët kanë hedhur mbeturina në një karrocë, e cila dyshohet të ketë qenë vatra fillestare e zjarrit. Në video shihet një i mitur që qëndron për disa sekonda pranë materialeve të grumbulluara, ndërsa rreth gjashtë minuta pas largimit të tij nis të dalë tymi.
Flakët u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë fillimisht ambientet e një marketi dhe më pas fasadën e pallatit 12-katësh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe panik te banorët.
Masat dhe hetimet
Lidhur me ngjarjen, gjykata ka vendosur masën “detyrim paraqitje” për katër persona:
- inxhinierin e kompanisë
- kontraktorin e fasadës
- menaxheren e marketit
- administratorin e pallatit
Ndërkohë, hetimet vijojnë edhe për të verifikuar:
- zbatimin e projektit të ndërtimit
- cilësinë e materialeve të përdorura
- respektimin e masave të sigurisë
Prokuroria po merr gjithashtu në pyetje persona të tjerë që kanë qenë dëshmitarë të parë të ngjarjes, në përpjekje për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit.
