Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit në hetimet për AKSHI, duke i cilësuar ato si një nga rastet më domethënëse për mënyrën se si funksionon pushteti në vend.
I ftuar në një emision televiziv, ai u shpreh se hetimi i SPAK ka zbërthyer një skemë të gjerë, që sipas tij tregon mekanizmat e kontrollit dhe ndikimit në administratë, ekonomi dhe media.
Sipas Hoxhës, në këtë dosje dalin në pah mënyrat se si janë menaxhuar fondet publike, tenderat dhe marrëdhëniet me median, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një strukturë të organizuar që ka ndikuar në disa sektorë njëkohësisht.
Ai përmendi edhe çështjen e pronave, duke iu referuar zonës së Petrelës dhe kompleksit të njohur si Equos Resort, ku sipas tij janë kryer ndërtime dhe veprime të dyshimta ligjore.
Hoxha deklaroi se një pjesë e pasurive të përfshira në hetim arrijnë në rreth 40 milionë euro, të cilat aktualisht janë në fazë sekuestrimi dhe jo konfiskimi. Ai shtoi se në këtë shumë përfshihen edhe miliona euro në para cash.
Gjithashtu, ai pretendoi se janë përdorur mekanizma si falsifikimi i dokumenteve, ndërtimet pa leje dhe ndikimi në institucionet si kadastra për të kaluar prona në pronësi private.
Sipas gazetarit, hetimi ka nxjerrë në pah një model funksionimi ku ndërthuren interesa ekonomike dhe ndikimi institucional, ndërsa theksoi se procesi është ende në zhvillim dhe priten të tjera detaje nga autoritetet hetimore.
