Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zbuluar detaje nga diskutimet e opozitës për ndryshimet në sistemin zgjedhor, duke theksuar se një nga propozimet kryesore ka ardhur nga Adriatik Lapaj dhe lëvizja e tij Lëvizja Shqipëria Bëhet.
I ftuar në një studio televizive, Mediu u shpreh se ky propozim nuk është i ri, por ka qenë prej kohësh në tryezë dhe është konsideruar pozitiv nga palët politike.
Sipas tij, drafti për reformën zgjedhore duhet të përpunohet më tej, duke përfshirë sugjerime nga të gjitha palët për të arritur një variant përfundimtar sa më gjithëpërfshirës.
Mediu sqaroi se propozimi është diskutuar fillimisht në kuadër të Forumit për Dialog, ku ka qenë i përfshirë edhe analisti Ermal Hasimja, dhe më pas është trajtuar edhe nga partitë parlamentare.
Një nga pikat që ai kundërshtoi fort ishte ideja për uljen e numrit të deputetëve në Kuvend. Sipas Mediut, propozimi për të reduktuar parlamentin në 100 deputetë nuk ka mbështetje dhe është i pajustifikuar.
Ai argumentoi se, përkundrazi, duke marrë parasysh përfshirjen e diasporës në votime, Shqipëria duhet të synojë një përfaqësim më të gjerë dhe funksional në Kuvend.
“140 deputetë janë të nevojshëm për një parlament funksional, sidomos nëse synojmë të rrisim pjesëmarrjen në votime dhe të përfshijmë diasporën,” u shpreh Mediu, duke shtuar se fokusi duhet të jetë te cilësia e përfaqësimit dhe jo thjesht te numri.
