Shtëpia e Bardhë raportohet se ka hartuar një plan për të vlerësuar shtetet anëtare të NATO bazuar në qëndrimin e tyre ndaj konfliktit me Iranin, duke krijuar një listë joformale që i ndan aleatët në “të mirë” dhe “të këqij”.
Sipas burimeve diplomatike evropiane dhe një zyrtari të Pentagonit të cituar nga Politico, plani synon të analizojë kontributin e secilit shtet në Aleancë dhe nivelin e mbështetjes ndaj operacioneve amerikane. Ky vlerësim është përgatitur përpara vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Uashington.
Kjo nismë lidhet me qasjen e administratës së Donald Trump për të ushtruar presion ndaj aleatëve që nuk përputhen me politikat amerikane. Në këtë kuadër, është paralajmëruar se vendet që nuk kontribuojnë në mënyrë të mjaftueshme mund të përballen me pasoja.
Edhe Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kishte lënë të kuptohej më herët se aleatët që japin kontribute të konsiderueshme do të trajtohen në mënyrë më të favorshme, ndërsa të tjerët mund të penalizohen.
Megjithëse detajet konkrete të planit nuk janë bërë publike, një nga skenarët e mundshëm është rishpërndarja e trupave amerikane në Evropë, si dhe diferencimi i bashkëpunimit ushtarak, ushtrimeve të përbashkëta dhe shitjeve të armëve në varësi të qëndrimit të secilit shtet.
Në këtë kontekst, vende si Polonia dhe Rumania konsiderohen më të favorizuara për shkak të bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të, ndërsa disa aleatë të tjerë evropianë, përfshirë Spanjën, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, raportohen se nuk i janë përgjigjur plotësisht kërkesave amerikane.
Ky zhvillim mund të rrisë tensionet brenda Aleancës, duke krijuar një ndarje të re mes vendeve anëtare dhe duke ndikuar në balancat e sigurisë në rajon.
