Qarkorja e re në Greqi ashpërson rregullat për emigrantët, eksperti Etmond Guri: mijëra shqiptarë rrezikojnë lejet e qëndrimit dhe përballen me deportim

Data

Një qarkore e re për emigracionin në Greqi ka shkaktuar shqetësim të madh te komuniteti shqiptar, pasi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rinovimin e lejeve të qëndrimit për mijëra emigrantë.

Eksperti i migracionit Etmond Guri shpjegon se kjo qarkore vjen në vazhdim të ndryshimeve ligjore të vitit 2026 dhe sjell një qasje më të ashpër ndaj emigrantëve pa dokumente të rregullta. Sipas tij, lehtësitë e reja aplikohen vetëm për kategoritë “e sigurta”, ndërsa nuk ofrohet asnjë zgjidhje për ata që ndodhen në situatë të parregullt.

“Procedurat për ata që kanë dokumentacion të rregullt do të përshpejtohen, por për pjesën tjetër nuk ka asnjë alternativë,” thekson Guri.

Ndryshimet ligjore të miratuara gjatë vitit 2025 kanë sjellë një kthesë të fortë në politikën migratore greke. Ndryshe nga më parë, kur lejohej aplikimi për leje qëndrimi edhe për emigrantë që kishin vite në vend, tani janë vendosur kufizime të rrepta.

Sipas rregullave të reja:

  • Emigrantët pa dokumente dërgohen fillimisht në qendra ndalimi
  • Më pas përballen me gjoba ose burgim deri në 1–2 vjet
  • Deportohen dhe ndalohen të hyjnë në Bashkimi Evropian për 5 deri në 10 vjet

Një nga aspektet më shqetësuese është fakti se deportimi mund të kryhet menjëherë, edhe nëse personi ka paraqitur apel ndaj vendimit.

Qarkorja prek veçanërisht emigrantët që kanë humbur lejen e qëndrimit gjatë vitit të kaluar, ndërsa nuk parashikon mekanizma rikuperimi për kategori të tjera në vështirësi, si personat me probleme shëndetësore apo ata që kanë vite pa dokumente.

Aktualisht, në Greqi jetojnë rreth 500 mijë emigrantë të ligjshëm, nga të cilët rreth 140 mijë janë shqiptarë me leje qëndrimi. Ndërkohë, rreth 70–80 mijë shqiptarë vlerësohet se e kanë humbur këtë status, duke u përballur me pasiguri ligjore dhe kosto të larta gjyqësore.

Reagimet nga diaspora shqiptare kanë qenë të shumta, duke ngritur shqetësime për ashpërsimin e politikave dhe mungesën e alternativave për integrim. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse këto masa vijojnë, pritet një rritje e largimit të shqiptarëve nga Greqia drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related