Edi Rama për zjarrin pranë QSUT: godina do rindërtohet nga ndërtuesi, banorët përfitojnë bonus qiraje

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për zjarrin që përfshiu një pallat në Tiranë, pranë QSUT, duke prekur dhjetëra familje dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Në podkastin “Flasim”, Rama e cilësoi ngjarjen si një moment të rëndë dhe të rrezikshëm, por theksoi se falë ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe forcave të rendit u shmangën humbjet në jetë dhe plagosjet e rënda.

Sipas tij, godina e dëmtuar do të rindërtohet plotësisht nga kompania ndërtuese, ndërsa qeveria dhe pushteti vendor do të mbështesin banorët deri në rikthimin e tyre në shtëpi.

“Këta banorë nuk do të lihen vetëm. Do të kenë një bonus qiraje dhe mbështetje nga bashkia për të përballuar këtë situatë,” u shpreh Rama.

Ai shtoi se rindërtimi pritet të mos zgjasë shumë, duke qenë se struktura bazë e godinës ekziston ende, ndërsa theksoi se verifikimet paraprake tregojnë se ndërtimi kishte materiale të certifikuara.

Kryeministri komentoi gjithashtu debatet publike pas ngjarjes, duke kritikuar ata që, sipas tij, japin opinione pa ekspertizën e duhur, ndërsa nënvizoi se zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një incident i rastësishëm dhe jo drejtpërdrejt nga cilësia e ndërtimit.

Në përfundim, Rama garantoi se të gjitha familjet e prekura do të mbështeten deri në rikthimin në banesa të reja, duke theksuar se prioritet mbetet rikthimi i tyre në kushte normale jetese.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related