Avokati Genc Gjokutaj ka komentuar përplasjet e fundit brenda mazhorancës, duke u ndalur te raportet mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-ministres Elisa Spiropali.
Sipas tij, zhvillimet e fundit tregojnë se në Partinë Socialiste kanë nisur krisje të brendshme, të cilat mund të ndikojnë në të ardhmen politike të vendit. Gjokutaj theksoi se rotacioni politik nuk vjen nga jashtë, por nga dobësimi i brendshëm i mazhorancës.
“Nuk ka rotacion pa krisje brenda mazhorancës, dhe kjo ka nisur tashmë,” u shpreh ai.
Duke analizuar rastin e Spiropalit, avokati deklaroi se ajo u godit pikërisht në momentin kur ishte në kulmin e karrierës së saj politike. Sipas tij, kjo lidhet me faktin se ajo kishte filluar të fitonte më shumë peshë dhe ndikim, çka sipas tij ka krijuar shqetësim te kreu i qeverisë.
Gjokutaj vlerësoi kontributin e Elisa Spiropali në Partinë Socialiste, duke theksuar se postet që ajo ka mbajtur i ka arritur përmes meritës dhe angazhimit politik.
Ai shtoi gjithashtu se Spiropali ka mbajtur një qëndrim të fortë publik kohët e fundit, duke e cilësuar si një figurë të guximshme brenda radhëve të socialistëve.
Sipas Gjokutajt, zhvillimet brenda mazhorancës mbeten vendimtare për ecurinë politike në vend, ndërsa përplasjet e tilla pritet të kenë ndikim në balancat e brendshme të pushtetit.
