Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një komunikimi online me qytetarët, ka lënë të hapur mundësinë e përshkallëzimit të protestave opozitare në forma më të forta në vijim.
Gjatë bashkëbisedimit, qytetarë të ndryshëm sugjeruan skenarë si bllokimi i jetës ekonomike, protesta pa fjalime, ngujim para Kuvendit së bashku me deputetët dhe madje edhe greva, me synimin për të rritur presionin ndaj qeverisë së Edi Rama.
Berisha u shpreh se të gjitha këto ide do të merren në konsideratë nga opozita, duke theksuar se situata aktuale kërkon reflektim dhe vendime të forta. Sipas tij, frika është një faktor kyç që pengon pjesëmarrjen qytetare në protesta.
Ai solli si shembull një protestë të organizuar nga shoqëria civile kundër taksës së karburanteve, ku sipas tij pjesëmarrja ishte shumë e ulët. “Frika është përcaktuese. Një farmacist nuk del në protestë se i mbyllet biznesi, një noteri mund t’i hiqet licenca,” u shpreh Berisha.
Në përfundim, ai theksoi se për opozitën zgjedhja është e qartë: “Mes heshtjes dhe përballjes me regjimin, kjo e dyta është jetike”, duke sinjalizuar se aksioni politik pritet të vijojë me intensitet më të lartë në ditët në vijim.
