Prokuroria e Tiranës godet skemën e mashtrimit me TVSH, sekuestrohen 6 kompani dhe bllokohen 73 mln lekë, dëmi mbi 500 mijë euro

Data

Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë një aksion ndaj disa kompanive të dyshuara për mashtrim me TVSH, duke vendosur sekuestro preventive mbi aktivitetin dhe llogaritë e tyre bankare.

Sipas hetimeve, skema e dyshuar ka shkaktuar një dëm ekonomik mbi 500 mijë euro ndaj buxhetit të shtetit, ndërsa janë bllokuar rreth 73 milionë lekë në llogaritë e gjashtë shoqërive tregtare.

Në fokus të hetimit janë kompanitë “Olt Flor”, “Olti Group”, “Albavia”, “Standard”, “Kukës Chrome Minerals” dhe “Troci 2005”, të cilat dyshohet se kanë përdorur fatura fiktive për të shmangur detyrimet tatimore.

Sipas organit të akuzës, këto subjekte kanë krijuar një skemë të organizuar ku janë deklaruar punime dhe shërbime të pa kryera realisht, me qëllim përfitimin e padrejtë të TVSH-së dhe uljen e detyrimeve fiskale.

Nga analiza financiare rezulton se vlera e transaksioneve të dyshuara arrin mbi 73 milionë lekë, ndërsa janë ndërmarrë masa të menjëhershme për të parandaluar lëvizjen e fondeve.

Në këtë fazë, autoritetet kanë urdhëruar bllokimin e llogarive bankare në disa banka të nivelit të dytë dhe vijimin e hetimeve për identifikimin e plotë të personave të përfshirë në këtë aktivitet.

Prokuroria bën me dije se hetimet po vijojnë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese në lidhje me TVSH” dhe “Fshehja e të ardhurave”, ndërsa nuk përjashtohet marrja e masave të tjera procedurale në vijim.

Sqarim: Personat dhe subjektet e përfshira konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related