Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për ndryshimet e fundit në ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”, duke theksuar se ato do të analizohen për përputhshmëri me legjislacionin evropian, sidomos në fushën e prokurimit publik.
Në një reagim zyrtar, Delegacioni i BE në Tiranë nënvizoi se dhënia e koncesioneve duhet të bëhet përmes procedurave transparente dhe konkurruese, duke përfshirë edhe sektorin e porteve turistike. Sipas tyre, çdo devijim nga këto standarde bie ndesh me rregullat e unionit dhe me angazhimet që Shqipëria ka marrë në procesin e integrimit.
BE vëren gjithashtu se ndryshimet në ligj përfshijnë elementë të ngjashëm me ligjin për Investitorët Strategjikë, i cili pritet të shfuqizohet në kuadër të reformave dhe negociatave për anëtarësim. Në këtë kontekst, theksohet se Shqipëria duhet të shmangë çdo hap që cenon këto angazhime, veçanërisht në lidhje me kapitujt e negociatave me unionin.
Debati për këtë ligj ka qenë i fortë edhe në politikën shqiptare. Mazhoranca e udhëhequr nga Edi Rama e ka mbrojtur nismën si një hap për zhvillimin e turizmit, ndërsa opozita e ka kundërshtuar duke e cilësuar si një ligj që favorizon interesat e disa investitorëve.
Ndryshimet e miratuara parashikojnë që investitorët strategjikë të mund të ndërtojnë porte turistike pa kaluar në procedurat klasike të koncesionit. Kjo do të thotë se, ndryshe nga modeli tradicional ku investimi i kthehet shtetit pas një periudhe të caktuar, në këtë rast portet mund të mbeten në pronësi të përhershme të privatit.
Ligji është miratuar në Kuvend me votat e shumicës socialiste, ndërsa kundërshtimet politike dhe vërejtjet e Bashkimi Evropian pritet të ndikojnë në vijimësinë e tij dhe në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit europian.
