Drejtori i Zjarrfikëses së Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, ka deklaruar se materiali i përdorur në fasadën e pallatit në kompleksin “Arlis” ka qenë një nga faktorët kryesorë që ndihmoi përhapjen e shpejtë të flakëve.
Gjatë një emisioni televiziv, ai theksoi se këto materiale janë të rrezikshme dhe nuk duhet të përdoren, sidomos në ndërtesa shumëkatëshe. Sipas tij, raste të tilla tregojnë se pasojat mund të jenë katastrofike.
Goxhaj shpjegoi se nën fasadën e djegshme ndodhej lesh guri, një material që nuk digjet dhe që do të kishte ndihmuar në kufizimin e zjarrit nëse do të ishte përdorur edhe në shtresën e jashtme.
Ai theksoi se ndërtuesit duhet të përdorin materiale që nuk përçojnë flakën, duke sugjeruar se zgjedhja e gabuar e fasadës përfundimtare ka ndikuar drejtpërdrejt në përhapjen e zjarrit.
Deklaratat e tij vijnë pas ngjarjes së rëndë që përfshiu një pallat në kryeqytet, duke rritur shqetësimet për standardet e ndërtimit dhe sigurinë në ndërtesat shumëkatëshe.
