Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja të karburanteve në vend, duke reflektuar një ulje për konsumatorët.
Sipas vendimit të marrë më 15 prill 2026, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit (naftës) nuk do të jetë më shumë se 207 lekë për litër, ndërsa me shumicë do të shitet deri në 195 lekë për litër.
Ndërkohë, çmimi i benzinës është caktuar maksimalisht në 174 lekë për litër për shitjen me pakicë dhe 162 lekë për litër për shitjen me shumicë.
Çmimet e reja kanë hyrë në fuqi që nga ora 13:30 e datës 15 prill dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në vendimin e radhës të bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e mundshme të tregut.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin rigoroz të këtij vendimi, duke theksuar se në rast shkeljesh mund të aplikohet pezullimi i aktivitetit.
Sipas sqarimit zyrtar, çmimet aktuale janë nën kufirin e përcaktuar nga akti normativ për akcizat, çka do të thotë se niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, në masën 100%.
Institucionet përgjegjëse theksojnë se këto masa synojnë mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e një konkurrence të ndershme në tregun e karburanteve.
