Pas përfundimit pa marrëveshje të negociatave mes SHBA-së dhe Iranit në Islamabad, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance është nisur drejt Washington, D.C..
Avioni “Air Force 2”, me të cilin udhëtonte Vance, është ngritur nga Ramstein Air Base në Gjermani, ku kishte bërë një ndalesë për furnizim me karburant. Sipas informacioneve, ai pritet të mbërrijë në kryeqytetin amerikan pas rreth gjashtë orësh udhëtim.
Pas dështimit të bisedimeve, asnjë nga anëtarët e ekipit negociator amerikan nuk ka mbetur në Pakistan. Edhe i dërguari special Steve Witkoff dhe Jared Kushner janë larguar nga Islamabad.
Largimi i menjëhershëm i delegacionit amerikan vjen në një moment tensionesh të larta, pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një marrëveshje me Iranin, duke lënë të paqartë ecurinë e mëtejshme të dialogut mes palëve.
