Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm pas dështimit të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa gjatë natës janë raportuar sulme të reja ajrore izraelite në jug të Libanit.
Sipas mediave shtetërore, avionët luftarakë kanë goditur disa zona të ndryshme, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur. Një nga sulmet më të rënda u regjistrua në qytetin Maaroub, ku një banesë ku ndodhej një familje me mbi shtatë anëtarë u godit drejtpërdrejt, duke shkaktuar humbje në njerëz dhe dëme të mëdha materiale.
Sulme të tjera janë raportuar në disa qytete të jugut të Libanit, ndërsa disa zona janë vënë edhe nën zjarr artilerie deri në orët e para të mëngjesit.
Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë deklaruar se kanë shkatërruar një hedhës raketash në zonën e Joya-s, i cili sipas tyre ishte gati për t’u përdorur kundër territorit izraelit.
Ky përshkallëzim vjen në kuadër të ofensivës izraelite kundër Hezbollah në jug të Libanit, pas sulmeve të vazhdueshme me raketa ndaj Izraelit.
Situata mbetet e paqëndrueshme dhe me rrezik të lartë për përshkallëzim të mëtejshëm, sidomos në një moment kur përpjekjet diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë dështuar të prodhojnë një marrëveshje.
