Në një zhvillim të papritur diplomatik, Izrael dhe Liban pritet të nisin negociata direkte në Uashington, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet për uljen e tensioneve në rajon.
Sipas zyrës së presidentit libanez, bisedimet do të zhvillohen të martën në Shtetet e Bashkuara, me ndërmjetësimin e Uashingtonit. Ky zhvillim vjen pasi Izraeli dha miratimin për nisjen e negociatave, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve zyrtare mes dy vendeve.
Një nga çështjet kryesore në tryezë pritet të jetë kërkesa e Izraelit që qeveria libaneze të marrë përgjegjësi për çarmatosjen e Hezbollah, grup i cili ka qenë aktiv në konflikt dhe ka mbështetur Iranin që në fazat e para të përshkallëzimit.
Negociatat vijnë në një moment shumë të tensionuar, pasi vetëm pak ditë më parë, në ditën e shpalljes së armëpushimit me Iranin, Izraeli ndërmori sulme ajrore në Bejrut. Sipas autoriteteve libaneze, këto sulme shkaktuan mbi 300 viktima, duke e bërë atë një nga ditët më të përgjakshme në vend që nga fillimi i luftës.
Megjithatë, nisja e bisedimeve shihet si një mundësi për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm dhe për të hapur rrugën drejt një zgjidhjeje diplomatike në një rajon që mbetet në prag të një konflikti më të gjerë.
