Pas gati gjysmë shekulli tensione dhe përplasjeje të vazhdueshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani janë ulur në tryezën e bisedimeve direkte, në një zhvillim që cilësohet historik nga analiza e BBC.
Takimet, që po zhvillohen në Islamabad, kanë zgjatur për orë të tëra dhe vijojnë ende në nivel teknik. Sipas raportimit, vetë fakti që palët kanë pranuar të negociojnë ballë për ballë konsiderohet një arritje e rëndësishme, duke pasur parasysh historinë e gjatë të mosbesimit dhe konfliktit mes tyre.
Ky proces është bërë i mundur falë përfaqësimit në nivele të larta dhe autoritetit që delegacionet kanë për të negociuar, çka sinjalizon një vullnet të ndërsjellë për dialog si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga Teherani.
Megjithatë, Irani ka hyrë në këto bisedime me një dozë të lartë skepticizmi ndaj diplomacisë, sidomos pas dështimeve të mëparshme të negociatave, të cilat u ndërprenë nga zhvillimet ushtarake. Për këtë arsye, pala iraniane ka insistuar që të negociojë drejtpërdrejt me figura të nivelit të lartë amerikan, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance.
Analiza thekson gjithashtu se ndryshe nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, e cila kërkoi më shumë se një vit negociata intensive, administrata e Donald Trump priret të kërkojë rezultate më të shpejta.
Megjithëse bisedimet shihen si një hap pozitiv, ekspertët paralajmërojnë se situata mbetet e brishtë dhe rreziku për një përshkallëzim të ri është ende i pranishëm. Në këtë kuadër, dialogu i nisur konsiderohet vetëm një fillim në një proces kompleks dhe të pasigurt diplomatik.
