Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Stamboll, ku pritet të zhvillojë takime me homologun turk Recep Tayyip Erdoğan, në një moment kritik për sigurinë në rajon.
Vizita vjen pas një vale të re sulmesh nga Rusia në territorin ukrainas, të cilat shkaktuan viktima dhe dëme të shumta materiale. Zelensky theksoi se bashkëpunimi me Turqinë është kyç për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Sipas autoriteteve ukrainase, gjatë sulmeve të fundit Rusia lëshoi qindra dronë, shumica e të cilëve u neutralizuan nga mbrojtja ajrore. Megjithatë, në disa rajone pati viktima dhe të plagosur, si dhe dëme në infrastrukturë dhe zona të banuara.
Në qytetin Nikopol humbën jetën pesë persona, ndërsa në rajonin e Sumy dhe në zona të tjera u raportuan dhjetëra të plagosur, përfshirë edhe të mitur. Edhe në kryeqytetin Kiev u regjistruan incidente, ku një ndërtesë u përfshi nga flakët pas një sulmi me dron.
Vizita e Zelenskyt në Turqi shihet si përpjekje për të rritur mbështetjen ndërkombëtare dhe për të koordinuar hapa të mëtejshëm diplomatikë dhe të sigurisë në një kohë kur konflikti vazhdon të përshkallëzohet.
