BBC i kushton artikull protestave kundër projektit turistik në Zvërnec dhe Sazan

Data

BBC Global Woman i ka kushtuar një artikull protestave qytetare kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e mbrojtur të Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit, duke e përshkruar atë si një nga lëvizjet më të mëdha qytetare të muajve të fundit në Shqipëri.

Sipas artikullit, protestat, të cilat organizatorët i kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, kanë nisur në fund të muajit maj si kundërshtim ndaj projektit të një resorti luksoz në një zonë me rëndësi të veçantë mjedisore. BBC raporton se mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në tubime në Tiranë, duke kërkuar anulimin e projektit.

Media britanike ndalet edhe te mbështetja publike e këngëtares Dua Lipa, e cila gjatë një episodi të podcastit të saj me shkrimtaren dhe akademiken Lea Ypi, të publikuar më 14 korrik, e cilësoi angazhimin e protestuesve si frymëzues.

Artikulli përfshin gjithashtu deklaratën e studentit Asllan Llani Dogjani për agjencinë Reuters, i cili e krahasoi rëndësinë e Zvërnecit për Shqipërinë me atë që përfaqëson Kanioni i Madh për Shtetet e Bashkuara, duke e cilësuar zonën një pasuri kombëtare.

BBC raporton se projekti turistik, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 1.4 miliardë eurosh, lidhet me kompaninë e Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Sipas medias, partneri i biznesit i Kushner, Asher Abehsera, ka deklaruar se investimi synon zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e vendeve të reja të punës për komunitetin lokal.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur projektin, duke deklaruar se nuk ka ndërmend ta ndalojë realizimin e tij gjatë mandatit të tij. BBC shton se kishte kërkuar një koment edhe nga Organizata Trump, por deri në publikimin e artikullit nuk kishte marrë përgjigje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related