Gazetari Poli Hoxha ka bërë deklarata të forta për hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke paralajmëruar zhvillime të reja nga drejtësia.
Sipas tij, hetimi i drejtuar nga SPAK është zgjeruar ndjeshëm, me rreth 10 hetues që po punojnë intensivisht, veçanërisht në analizën e pasurisë dhe burimeve financiare.
Hoxha theksoi se materiali hetimor i deritanishëm përbëhet nga rreth 16 mijë faqe dhe përfaqëson vetëm “majën e ajsbergut”, duke sugjeruar se dosja mund të thellohet edhe më tej. Ai përmendi gjithashtu sekuestrimin e dhjetëra pajisjeve si pjesë e hetimit, çka sipas tij tregon një qasje të detajuar nga prokuroria.
Në deklaratën e tij, gazetari ngriti pretendimin se Balluku mund të përballet jo vetëm me akuza për korrupsion, por edhe për drejtim të një organizate kriminale, një zhvillim që, nëse konfirmohet, do ta rëndonte ndjeshëm çështjen.
Hetimet pritet të vijojnë me masa të tjera në ditët në vijim, ndërsa çështja mbetet një nga më të ndjekurat në skenën politike dhe juridike në vend.
