Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë një aksion në qarkun e Shkodrës, duke bllokuar 7.2 ton djathë në një baxho në fshatin Kosmaç, pasi produkti nuk plotësonte standardet higjeno-sanitare dhe rezultonte pa gjurmueshmëri të qartë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër, u konstatuan shkelje serioze që lidhen me sigurinë ushqimore, çka çoi në bllokimin e menjëhershëm të sasisë së djathit dhe ndërprerjen e aktivitetit të subjektit.
Ky aksion vjen në kuadër të masave të shtuara të kontrollit në terren, pas një takimi të zhvilluar nga drejtues të AKU-së, ku është kërkuar rritje e vigjilencës për garantimin e standardeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Autoritetet theksojnë se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin për të parandaluar tregtimin e produkteve që mund të rrezikojnë shëndetin publik dhe ftojnë qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshimtë.
