Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, ndërsa ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar.
Seanca për shqyrtimin e kësaj kërkese pritet të zhvillohet më 8 prill, ku çështja do të merret në apel nga gjyqtari Taulant Banushi.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor 2025, kur gjyqtari Kalaja u qëllua me armë zjarri brenda sallës së gjyqit nga Elvis Shkambi. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, Ragip Kurti dhe Ervis Kurti.
Sipas deklarimeve, Gjon Shkambi pretendon se nuk ka pasur dijeni për veprimet e nipit të tij dhe nuk ka qenë i përfshirë në krim.
Në momentin e ngjarjes, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij ndodheshin në sallë duke pritur vendimin e gjykatës lidhur me një konflikt pronësie, që kishte prej dekadash mes familjes së tyre dhe 31 familjeve të tjera.
Ky konflikt, i nisur që në vitet ’90 për pronësinë e një godine, ka qenë objekt i proceseve të shumta gjyqësore dhe konsiderohet si shkaku kryesor që çoi në aktin ekstrem brenda sallës së gjyqit.
Gjykata pritet të vendosë nëse do të ndryshojë masën e sigurisë për Gjon Shkambin, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.
