Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ka reaguar pas përplasjeve të forta në Kuvend mes Taulant Balla dhe Flamur Noka, duke ngritur shqetësimin për funksionimin e institucionit më të lartë ligjvënës në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali thekson se situata në Parlament nuk është thjesht tension politik, por një shenjë e një krize më të thellë që prek vetë sistemin.
“Kriza e Parlamentit është kriza e Republikës Parlamentare”, shprehet ajo, duke shtuar se institucioni nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues.
Sipas saj, problemi nuk është konflikti në vetvete, por fakti që “konflikti banal po zëvendëson funksionin”, duke e kthyer Parlamentin në një arenë përplasjesh pa rezultat konkret.
Spiropali paralajmëron se nëse kjo situatë vazhdon, pasojat do të jenë më të thella sesa thjesht dobësimi i Kuvendit. Ajo thekson se rrezikohet besimi i qytetarëve dhe vetë ideja e një Republike Parlamentare funksionale.
“Një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura, por me funksion – me debat që prodhon kuptim dhe kontroll që prodhon përgjegjësi”, shkruan ajo.
Në fund, Spiropali thekson se integrimi europian kërkon institucione që funksionojnë realisht dhe jo vetëm ekzistojnë në letër, duke nënvizuar nevojën për rikthimin e rolit të Parlamentit si qendër e debatit dhe kontrollit demokratik.
