Kryeqyteti shqiptar, Tirana, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare si një destinacion turistik i përballueshëm dhe plot atraksione. Sipas një artikulli të publikuar nga media britanike “Express”, qyteti ofron një kombinim unik të historisë, kulturës dhe modernitetit.
Me temperatura që arrijnë deri në 21°C gjatë pranverës dhe fluturime të lira nga Britania e Madhe, Tirana po shndërrohet në një zgjedhje të preferuar për turistët që kërkojnë një pushim ekonomik. Në vitin 2025, ajo u rendit edhe nga Time Out si destinacioni më i mirë evropian për udhëtime me buxhet të ulët.
Ndër atraksionet kryesore që rekomandohen për vizitorët janë:
- Sheshi Skënderbej – zemra e qytetit dhe simbol i transformimit të Tiranës, ku ndërthuren historia dhe zhvillimi modern.
- Mali i Dajtit – destinacion natyror që ofron pamje spektakolare dhe një arratisje të shpejtë nga zhurma urbane.
Përveç këtyre, vizitorët mund të eksplorojnë edhe vende si Xhamia e Et’hem Beut, Muzeu Historik Kombëtar, Bunk’Art dhe lagjen e njohur të Blloku, duke përjetuar një përzierje të trashëgimisë osmane, periudhës komuniste dhe stilit modern.
Një tjetër avantazh i madh mbetet kostoja e ulët e jetesës. Ushqimi tradicional shqiptar – si byreku, fërgesa apo tava e kosit – ofrohet me çmime të përballueshme, ndërsa edhe pijet janë dukshëm më të lira krahasuar me vendet e tjera evropiane.
Ekspertët e turizmit e cilësojnë Tiranën si një nga kryeqytetet më të nënvlerësuara të Evropës, që po transformohet me shpejtësi dhe po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.
