Një ngjarje e rëndë është shënuar në Bulgarec, ku është gjetur i pajetë në banesën e tij 78-vjeçari Gëzim Vija.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari jetonte i vetëm prej rreth 25 vitesh dhe ishte i divorcuar. Ai ishte baba i katër fëmijëve, dy prej të cilëve jetojnë në Korçë, ndërsa dy të tjerë jashtë vendit.
Nga këqyrja fillestare në vendngjarje, në trupin e viktimës janë konstatuar plagë, që dyshohet se janë shkaktuar nga goditje me sende të forta. Kjo ka ngritur dyshime për një ngjarje kriminale, megjithëse nuk përjashtohet ende as mundësia e një aksidenti brenda banesës.
Autoritetet kanë shoqëruar familjarët në komisariat për të dhënë deklarime, ndërsa po merren në pyetje edhe banorë të zonës dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rastin.
Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.
