Gazetari Bledian Koka ka deklaruar se kryeministri Edi Rama mund të thirret nga SPAK gjatë muajit prill, në kuadër të zhvillimeve të mundshme hetimore.
Sipas Kokës, drejtësisë shqiptare i kanë mbërritur materiale dhe dosje nga Gjermania, të cilat mund të kenë ndikim në ecurinë e hetimeve. Ai theksoi se bëhet fjalë për informacione që ekzistojnë, por që mbeten për t’u konfirmuar nga zhvillimet konkrete në vijim.
“Besoj se zoti Rama mund të ketë informacion që në prill mund të ketë një thirrje nga SPAK”, u shpreh Koka gjatë një debati televiziv.
Nga ana tjetër, analisti Albatros Rexhaj ngriti dyshime mbi burimin e këtij informacioni, duke kërkuar sqarim nëse bëhet fjalë për të dhëna të verifikuara apo një vlerësim personal.
Koka u përgjigj se informacioni i tij vjen “si person në dijeni”, por theksoi se gjithçka mbetet e varur nga mënyra se si do të avancojë drejtësia me materialet e ardhura nga jashtë vendit.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet për këtë çështje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime konkrete gjatë javëve në vijim.
